Ndodhemi përafërsisht në skajin më lindor të thyerjes tërthore të Letanit, ku dallohet qartë, se si blloku verior i kësaj thyerje, vazhdon në drejtim të lindjes, në trajtën e një hunde ose zgjatimi monoklinal, me shtrirje gati 1 km, ku shtresa e gëlqerorëve shtresë trashë ka azimut rënie verior, me kënd të fortë 80 90°, deri të përmbysur pranë ballit tektonik, ndërsa në drejtim të veriut këndi zbutet menjëherë dhe mbi të vendoset formacioni fishor i Oligocenit të poshtëm. Dalja e gëlqerorëve ka një trashësi të dukshme rreth 50 m, në projeksionin në plan. Në drejtim të jugut, vrojtohet qartë blloku i ulur, me diferencë hipsometrike 50-60 m në vertikalitet, i cili mandej ulet gradualisht në reliev, duke zbritur drejt lumit të Zaranikës (fig.7, 8).

1.Thyerja tërthore në pozicionin lindor të saj, dallohet qartë plani rënies, pranë saj ka dhe plane të tjera të vogla.
2.Blloku tektonik i ulur ka diferencë morfologjike dhe nën mbulesën kuaternare ndërtohet nga formacioni fishor i Oligocenit të poshtëm.
3.Mbulesa kuaternare, e cila vendoset normalisht mbi bllokun tektonik të ulur.
4.Hunda strukturore monoklinale e strukturës Letan.
5.Formacioni flishor vendoset normalisht mbi prerjen karbonatike të strukturës së Letanit, ne zhveshje ka trajtën e një monoklinali me rënie veriore, i cili në drejtim të veriut rrotullohet dhe formon krahun lindor të strukturës antiklinale të Letanit.









