Vrojtimi në terren dhe mbledhja e të dhënave, për thyerjen tektonike tërthore të Letanit, Elbasan

Written by

in

Thyerja tektonike tërthore e Letanit, ndërpret në mënyrë brutale, vazhdimin në drejtim të jugut, të vargut strukturor Krujë-Dajt-Letan. Ndodhemi pranë kontaktit tektonik tërthor, pranë fshatit Baltëz, i cili kufizon vazhdimin në drejtim të jugut të vargut strukturor Dajt-Letan. Vrojtohet qartë rrafshi tektonik, i cili strukturën antiklinale të Letanit, të ndërtuar nga karbonate, e lë në veri, dhe më në jug të tij, nën një trashësi me brekçie shpati, i krijon mundësi vazhdimit të flisheve të zonës tektonike Kruja, të datuar me moshë Oligocen i poshtëm. Thyerja tërthore është e tipit falje normale, ku blloku i ulur ndërtohet nga formacioni flishor, më i ri në moshë se sa gëlqerorët e bllokut të ngritur, i cili më në jug përkon me luginën e lumit Shkumbin, pranë qytetit të Elbasanit, paksa në jug të tij. Rrafshi tektonik është i mbushur me vijëzime dhe pragje të rrëshqitjes, nëpërmjet të cilëve përcaktohet me lehtësi, drejtimi dhe sensi i lëvizjes së blloqeve shkëmbore. Pragu strukturor tregon sensin e lëvizjes së blloqeve tektonike, duke përcaktuar kështu, kush është blloku i ulur dhe kush është blloku i ngritur, që në rastin tonë, blloku i ulur është ai që zhvillohet në pjesën jugore të thyerjes tektonike të Letanit (fig.1, 2).

Elementët e kontaktit tektonik:
Azimuti i rënies – 145
Këndi i rënies – 54
Drejtimi i lëvizjes – 150

Fig. 1 – Skicë tektonike, pranë gurores së Letanit, që tregon marrdhëniet midis dy blloqeve tektonike.
  • Formacioni karbonatik i Kretak-Eocenit, i cili ndërtonë krahun perëndimor të antiklinalit të Letanit.
  • Plani tektonik, ku dallohen qartë vijëzimet dhe pragjet e ç,vendosjes së masave shkëmbore.
  • Brekçie shpati, që vendosen direkt mbi planin tektonik, duke mbuluar marrëdhëniet e tij me bllokun shkëmbor të ulur.
  • Formacioni flishor i Oligocenit të poshtëm, që ndërton bllokun e ulur.
Fig. 2 – Pamje nga larg e thyerjes tërthore të Letanit, ku dallohet njëkohësisht plani dhe skarpati tektonik.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *